“Qepeni gojën”/ Debate për shkrirjen e bashkisë, Rama përplaset me banorët e Poliçanit dhe kryebashkiakun socialist Adriatik Zotkaj! Qytetarët largohen nga takimi

BERAT- Kryeministri Edi Rama është përfshirë në debate të ashpra me qytetarët e Poliçanit gjatë takimit të zhvilluar në qytetin e Beratit për Reformën Territoriale. Mësohet se pjesë e takimit ka qënë edhe aktorja Egla Ceno.

Takimi u zhvillua në ambientet e Hotel Colombo, ku diskutimi për Reformën Territoriale nisi me fjalën e Ministrit të Pushtetit Vendor, Ervin Demo. Pas përfundimit të fjalës së ministrit Demo, përfaqësuesit e Poliçanit morën fjalën për të shprehur pakënaqësitë e tyre.

Më tej situata u tensionua duke sjellë përplasje verbale mes kryeministrit Rama, kryebashkiakut të Poliçanit, Adriatik Zotkaj, dhe aktores Egla Ceno. Debati është përshkallëzuar gjatë diskutimeve, ndërsa Rama, në një moment, u është drejtuar banorëve me fjalët: “Qepeni gojën”.

Pas debateve përfaqësuesit e ardhur nga Poliçani vendosën të bojkotojnë takimin, dhe u larguan nga ambientet ku po zhvillohej mbledhja.