VLORË- Ardian Muka, është 56-vjeçari i cili ka rënë në prangat e Policisë pasi dyshohet se kanosi kushëririn e tij dhe familjarët e tjerë për tu marrë 300 mijë euro. Sipas njoftimit të Policisë, arrestimi u bë i mundur pas një kallëzimi të bërë nga kushëriri i autorit, i cili ka njoftuar se në portën e banesës së tij në fshatin Gërdec kishte gjetur një fishek dhe një letër me përmbajtje kërcënuese për jetën e tij dhe familjarëve, me qëllim për t’i dhënë shumën prej 300 000 eurosh.
Specialistët e Komisariatit Nr. 7, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe nën drejtimin e Prokurorisë, identifikuan dhe arrestuan në flagrancë shtetasin 56-vjeçarin, banues në Vorë. Sakaq, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vepranet penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, shpërthyese dhe municionit”.
NJOFTIMI:
“Kanosi kushëririn e tij dhe familjarët e tij, me qëllim për t’i marrë shumën prej 300 000 euro, arrestohet në flagrancë 56-vjeçari. Sekuestrohen municion luftarak, veshjet e përdorura gjatë ngjarjes dhe një aparat celular.
Pas kallëzimit të bërë nga shtetasi E. M., se në portën e banesës së tij, në fshatin Gërdec, kishte gjetur një fishek dhe një letër me përmbajtje kërcënuese për jetën e tij dhe familjarëve, me qëllim për t’i dhënë shumën prej 300 000 eurosh, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 7, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda nën drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Mesazhi” me qëllim identifikimin e autorit dhe dokumentimin e rastit.
Në kuadër të operacionit u bë e mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit A. M., 56 vjeç, banues në Vorë. Ky shtetas, nëpërmjet kanosjes për jetën, ka kërkuar nga kushëriri i tij, shtetasi E. M., dhënien e shumës prej 300 000 eurosh, duke kanosur gjithashtu edhe familjarët e tij.
Gjatë kontrollit të banesës së tij u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, municion luftarak, veshjet e përdorura gjatë ngjarjes dhe 1 aparat celular. Vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, shpërthyese dhe municionit””




