Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e 12 shtatorit në fshatin Urakë të Matit, ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar në drejtim të një automjeti “Audi”, të parkuar në oborrin e një banese.
Nga të shtënat ka pasur vetëm dëme materiale në automjet.
Pak kilometra më tej, në aksin Rrëshen-Burrel, policia ka gjetur të djegur një automjet “Golf V”, brenda të cilit janë sekuestruar dy kallashnikovë, të djegur pjesërisht.
Njoftimi i policisë:
Më datë 12.09.2026, rreth orës 23:10, në fshatin Urakë, Njësia Administrative Rukaj, Bashkia Mat, nga persona ende të paidentifikuar është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Audi”, në pronësi të shtetases S. Ll. (bashkëshortja e shtetasit A. Ll.), i parkuar në oborrin e banesës.
Nga të shtënat janë shkaktuar dëmtime materiale vetëm në automjetin tip “Audi”.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendngjarje dhe, në bashkëpunim me DVP Dibër, ngritën pika kontrolli.
Ndërkohë, në vendngjarje shkoi grupi hetimor.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të territorit, rreth 2 kilometra larg nga vendi i ngjarjes, në aksin rrugor Rrëshen-Burrel, kanë konstatuar të djegur një automjet tip “Golf V”. Gjatë këqyrjes së automjetit, në brendësi të tij janë gjetur dy armë zjarri kallashnikov, të djegura pjesërisht, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga verifikimet e kryera rezulton se automjeti tip “Golf”, i konstatuar i djegur, ishte shpallur në kërkim nga DVP Elbasan më datë 31.07.2025, pasi kishte bërë kallëzim pronari i tij, shtetasi K. R., banues në Përrenjas, se i kishin vjedhur këtë automjet.
Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet në zonën ku mund të kenë lëvizur autorët e dyshuar dhe po bashkëpunohet me DVP Tiranë, Lezhë e Kukës.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon intensivisht veprimet me qëllim zbardhjen e rrethanave, sigurimin e provave që do të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.




