Kadastra nis verifikimin “derë më derë” për banesat pa certifikatë pronësie: Si do të funksionojë procesi

Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka nisur një aksion mbarëkombëtar për verifikimin në terren të banesave pa dokumentacion pronësie. Përmes një qasjeje të re “derë më derë”, specialistët e Kadastrës do të kontaktojnë drejtpërdrejt qytetarët për të zgjidhur problematikën e bartur ndër vite, pa qenë e nevojshme nëse pronarët kanë aplikuar paraprakisht apo jo.

Aksioni ka startuar nga fshati Palasë për të vijuar më pas në të gjitha zonat rurale të vendit — ku ngërçi i pronave është më i mprehtë — përpara se të shtrihet në qendrat urbane.

Procedura në terren dhe lëshimi i dokumenteve

Gjatë vizitave në terren, punonjësit e Kadastrës do të kryejnë matjet teknike dhe do të saktësojnë dokumentacionin e çdo objekti. Për të gjitha rastet që plotësojnë kriteret ligjore:

Vendimi përfundimtar do t’u dërgohet qytetarëve direkt në llogarinë e tyre në platformën e-Albania.

Pas përfundimit të punës në çdo zonë administrative, Kadastra do të publikojë statusin e plotë të të gjitha banesave të trajtuara.

Përmes këtij publikimi, çdo qytetar do të ketë transparencë të plotë mbi ecurinë e dosjes së tij. Statusi do të specifikojë qartë nëse pronari është pajisur me vendim, nëse kërkohet plotësim dokumentacioni që nuk sigurohet dot nga shteti (siç është dëshmia e trashëgimisë), apo nëse banesa nuk është aksessuar nga grupet e punës.

Thirrja për bashkëpunim

Agjencia Shtetërore e Kadastrës i bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me specialistët e terrenit dhe të sigurojnë praninë e tyre në banesa gjatë verifikimeve. Formalizimi i pronësisë do t’u garantojë qytetarëve të drejta të plota ligjore mbi pasuritë e tyre, duke u hapur rrugë investimeve, transaksioneve të shitblerjes dhe zhvillimit ekonomik të zonave.