E lidhën, e qëlluan dhe e hodhën në lumë – Detajet e ekzekutimit mafioz të 35-vjeçarit shqiptar në Itali

Detaje të reja dalin nga hetimet për vrasjen e 35-vjeçarit shqiptar, Ferdinant Hoti, trupi i të cilit u gjet brenda një automjeti të zhytur në lumin Tergola, në San Giorgio delle Pertiche, në Itali.

Hoti, banues në Mirano, u gjet i pajetë në sediljet e pasme të një Fiat Bravo të zi, pa targa. Trupi i tij ishte futur në një qese të zezë dhe ishte rënduar me goma automjetesh, në përpjekje për ta mbajtur të zhytur në ujë.

Sipas ekzaminimeve të para mjeko-ligjore, 35-vjeçari ishte qëlluar me armë zjarri nga një distancë e afërt. Në momentin e ekzekutimit, ai kishte duart e lidhura.

Autopsia ka nxjerrë në pah edhe një tjetër detaj të rëndësishëm: Hoti kishte ndërruar jetë përpara se trupi të përfundonte në ujë. Në mushkëri nuk janë konstatuar shenja uji, duke përjashtuar mundësinë që ai të ishte mbytur.

Pronari i makinës nuk denoncoi vjedhjen

Një nga pikëpyetjet kryesore të hetimit lidhet me automjetin e përdorur për të transportuar dhe fshehur trupin.

Karabinierët kanë arritur të identifikojnë pronarin e Fiat Bravo-s përmes numrit të shasisë, pasi makina ishte gjetur pa targa në basenin e Tergolës.

Bëhet fjalë për një person që banon në provincën e Venecias dhe që nuk kishte denoncuar vjedhjen e automjetit.

Pronari është marrë në pyetje nga karabinierët, të cilët po përpiqen të zbardhin se si përfundoi makina në duart e autorëve dhe nëse ai ka ndonjë lidhje me ngjarjen.

Po rindërtohet mbrëmja e fundit e shqiptarit

Hetuesit po rindërtojnë lëvizjet e Hotit gjatë mbrëmjes së së hënës, 7 shtator, për të zbuluar se me kë është takuar dhe ku ka qenë para se të ekzekutohej.

Në të njëjtën kohë, po analizohen pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, përfshirë kamerat e një punishteje druri pranë vendit ku u gjet automjeti.

Fakti që trupi ishte futur në një qese dhe ishte rënduar me goma, ndërsa makina ishte shtyrë në ujë, ka përforcuar dyshimet e hetuesve se bëhet fjalë për një ekzekutim të planifikuar dhe një përpjekje të qëllimshme për të zhdukur gjurmët.

Edhe zgjedhja e vendit ku u braktis makina po hetohet. Automjeti u pikas në orët e para të mëngjesit nga disa persona që po kalonin në zonë, vetëm disa dhjetëra metra larg një rrethrrotullimi të frekuentuar në Torre di Burri.

Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që autorët ta njihnin mirë zonën dhe karakteristikat e basenit të Tergolës.

Ndërkohë, vijojnë hetimet për të zbardhur motivin e vrasjes, identifikuar autorët dhe përcaktuar rolin e personave të tjerë që mund të kenë pasur dijeni për ngjarjen.