GREQI- Një 55-vjeçar me origjinë shqiptare ka mbetur i plagosur pas një sulmi me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të së hënës në zonën e Patisias, në Athinë. Sipas raportimeve të mediave greke, ngjarja ka ndodhur pak para orës 05:00, në kryqëzimin e rrugëve Vroutou dhe Themou Anninou.
Dy persona, të cilët lëviznin me një motoçikletë, i janë afruar 55-vjeçarit dhe kanë qëlluar në drejtim të tij. Si pasojë, ai ka marrë plagë në gjymtyrët e poshtme. Pas sulmit, autorët janë larguar me vrap nga vendi i ngjarjes.
Më pas, i plagosuri është marrë nga një ambulancë dhe është transportuar në spitalin “Georgios Gennimatas”, ku ka marrë ndihmën mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat e policisë, të cilat kanë mbledhur tre gëzhoja dhe një plumb si prova materiale. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të sulmit dhe identifikimin e autorëve.




