Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kanë reaguar së bashku për mosdhënien e pagave të llogaritura sipas mekanizmit të ri për magjistratët, funksionarët e sistemit të drejtësisë dhe administratën gjyqësore e të prokurorisë.
Organizatat e drejtësisë e konsiderojnë situatën një bllokim të paligjshëm dhe kërkojnë ekzekutimin e menjëhershëm të pagave.
Në qendër të përplasjes është mënyra e llogaritjes së pagave.
Sipas tre organizatave, Ministria e Financave i ka kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë që urdhërpagesat të dërgohen të llogaritura me formulën e vjetër.
Natë h*rror për turistët në Himarë: Nuk kishim makinë me qira dhe taksitë nuk mund të vinin
Problemi, sipas tyre, është se kjo formulë është shfuqizuar. Vetë Ministria e Drejtësisë ka pranuar se formula e mëparshme nuk është më në fuqi dhe se për situatën e krijuar nevojitet ndërhyrja e Kuvendit. Përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë ngrenë pikërisht pyetjen se mbi çfarë baze ligjore kërkohet përdorimi i një formule që nuk është më në fuqi.
Në reagim përmendet edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 15/2026.
Sipas organizatave, Gjykata i kishte lënë Kuvendit afat deri më 31 korrik 2026 për të miratuar ndryshimet ligjore.
Në rast se Kuvendi nuk do të vepronte brenda këtij afati, vendimi parashikonte një mekanizëm për përcaktimin e pagave.
Pas përfundimit të afatit, KLGJ dhe KLP kanë miratuar aktet përkatëse për konkretizimin e mënyrës së re të llogaritjes.
Për këtë arsye, gjyqtarët dhe prokurorët argumentojnë se mosveprimi i Kuvendit nuk mund të përdoret si arsye për të mos zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Tre organizatat kërkojnë që pagat të ekzekutohen menjëherë sipas llogaritjeve të reja dhe që pagesat të mos kushtëzohen me miratimin e një ligji të ri.
Ata i kërkojnë gjithashtu Ministrisë së Financave të bëjë të qartë bazën ligjore mbi të cilën po kërkohet përdorimi i formulës së vjetër dhe kërkojnë respektimin e standardit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Përplasja për pagat vjen në një moment kur ndryshimi i formulës së pagave për sistemin e drejtësisë është kthyer në një çështje institucionale mes organeve të drejtësisë, qeverisë dhe Kuvendit.





