Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Greqi, ku një avion luftarak “F-4 Phantom” është rrëzuar gjatë aktivitetit ajror “Athens Flying Week”, në Tanagra. Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën dy pilotët që ndodheshin në bord. Në pamjet e publikuara në mediat sociale avioni shihet duke fluturuar në lartësi të ulët, më pas humb gradualisht humbur lartësi përpara se të përplaset me tokën.
Sipas raportimeve fillestare, avioni u rrëzua pak pasi kishte nisur demonstrimin e tij, ndërsa qindra persona po ndiqnin shfaqjen nga afër. Dy pilotët e avionit, nuk arritën të aktivizonin sistemet e katapultimit. Në operacion u angazhuan 85 zjarrfikës, 23 automjete, dy grupe këmbësorësh të njësive speciale të zjarrfikësve dhe një ekip i EKAM. Për shuarjen e zjarrit nga ajri u mobilizuan gjithashtu 7 avionë dhe 4 helikopterë.
Sipas informacioneve paraprake, avioni është ndarë në dy pjesë dhe zjarri ka shpërthyer në dy pika të ndryshme. Gjithashtu raportohet se avioni ka rënë në një zonë pranë një biznesi.
Menjëherë pas marrjes së lajmit për aksidentin, ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, ndërpreu programin e tij në Panairin Ndërkombëtar të Selanikut dhe u nis urgjentisht drejt Athinës. Edhe Presidenti i Republikës, Konstantinos Tasoulas, anuloi një aktivitet të planifikuar në Methoni dhe u kthye në Athinë.
F-4 Phantom II është një nga avionët luftarakë më ikonë në historinë e aviacionit. Ai është një avion amerikan me dy vende dhe dy motorë, i projektuar për misione të ndryshme. Greqia mori Phantom-ët e parë në vitin 1974, në kuadër të programit amerikan Peace Icarus. Më vonë, një pjesë e avionëve u modernizuan me sisteme të reja elektronike dhe pajisje moderne, duke i lejuar ata të qëndronin në shërbim për dekada.
F-4E Phantom grek ka një ekuipazh prej dy personash, pilotin dhe oficerin përgjegjës për sistemet e armëve. Avioni mund të arrijë një shpejtësi maksimale prej rreth 2,370 km/orë dhe një lartësi operative mbi 15,000 metra. Megjithatë ende nuk dihen shkaqet e aksidentit ajror apo detaje të tjera lidhur me ngjarjen.




