Aksident në Papërr të Elbasanit, dyshohet se shkak ishte shpejtësia e lartë

ELBASAN – Një aksident automobilistik është regjistruar mëngjesin e kësaj të premteje në aksin kombëtar Elbasan–Peqin, në zonën e Papërrit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:15, ndërsa nga të dhënat paraprake dyshohet se automjeti është përfshirë në aksident si pasojë e shpejtësisë tej normave të lejuara.

Fatmirësisht, nga përplasja nuk raportohet për pasoja të rënda për jetën e personave që udhëtonin në automjet. Megjithatë, aksidenti ka shkaktuar dëme materiale.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat po menaxhojnë qarkullimin rrugor. Ndërkohë, vijojnë veprimet hetimore për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e plotë të aksidentit, si dhe nëse ka persona të lënduar dhe shkallën e dëmeve.