Aksidenti tragjik në Vorë, humb jetën gazetari 26-vjeçar

TIRANË – Një aksident i rëndë automobilistik i ka marrë jetën një 26-vjeçari mëngjesin e kësaj të mërkure në afërsi të Vorës.

Viktima është identifikuar si Xhesjon Zogu, me profesion gazetar. Ai humbi jetën si pasojë e plagëve të marra në aksidentin e rëndë.

Sipas të dhënave paraprake, ngjarja dyshohet se është shkaktuar nga një parakalim i gabuar, i cili ka sjellë përplasjen kokë më kokë të dy automjeteve.

Si pasojë e përplasjes ka mbetur i plagosur edhe drejtuesi i automjetit tjetër, i cili është transportuar në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe përcaktimin e përgjegjësive.