Rama pas takimit me deputetët dhe drejtuesit e PS Tiranë: Përgatitje për sezonin e ri politik

TIRANË- Kryeministri dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar një takim pune me deputetët dhe drejtuesit e njësive organizative të PS-së për Qarkun e Tiranës, me fokus përgatitjet për sezonin e ri politik.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bëri me dije se gjatë takimit u diskutua mbi ritmin e ri organizativ të strukturave rozë, zbatimin e metodologjisë “BESA” si dhe funksionimin e platformës së re digjitale “PasqyrAlbania”.

Ndërhyrja organizative vjen në kuadër të riorganizimit të strukturave kapilare të PS-së në kryeqytet, ku përdorimi i sistemeve të reja të monitorimit digjital dhe koordinimi i bazës pritet të jenë shtyllat kryesore të aksionit të ardhshëm politik.

“Me deputetët dhe drejtuesit e tjerë të njësive organizative të Partisë Socialiste të Qarkut Tiranë, patëm sot një diskutim të dobishëm për organizimin e Pranisë Besnike
metodologjinë e BESËS dhe sistemin e ri të Pasqyr Albania duke hedhur një hap të nevojshëm në përgatitjen e sezonit të ri politik të Partisë Socialiste “, shkruan Rama.