TIRANË- Partia Demokratike ka mbledhur pasditen e sotme Këshillin Kombëtar, ku kryetari i opozitës, Sali Berisha, ka mbajtur një fjalë të fortë politike duke bërë bilancin e muajve të verës dhe duke lëshuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.
Gjatë fjalës së tij para anëtarëve të Këshillit Kombëtar, Berisha u shpreh se kjo periudhë do të mbahet mend si “vera që dogji Edi Ramën”, duke paralelizuar situatën e emergjencave civile me krizën politike në vend.
Berisha denoncoi dështimin e emergjencave civile në përballimin e vatrave të shumta të zjarrit në mbarë vendin, duke akuzuar se fondet përkatëse u përdorën për koncerte.
“Të dashur anëtare dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD. Anëtare dhe anëtare të PD, mbështetës, qytetarë që ndiqni këtë mbledhje të Këshillit tonë Kombëtar. Vera që po lëmë pas do hyjë në histori si vera që dogji Edi Ramën. Jemi në fund të muajit gusht. Po mbyllim verën më të nxehtë të viteve të fundit, një verë aq përvëluese që muaj pas muaji, javë pas jave, ditë pas dite ka shkrirë dhe po shkrin narko-shtetin, kreun e saj padrinon Edi Rama. Zjarret dogjën Shqipërinë këtë verë si rrallë ndonjë vit më parë. Vatra të shumta zjarresh në Fushë Krujë, Krujë, Dajt, Dibër, Bulqizë, Pukë, Finiq, Mallakastër, Gramsh, etj.
Ato, pothuajse, nuk u menaxhuan fare. Fondet e emergjencës për zjarret kishin shkuar për koncerte për të shuar protestën. Por këtë verë, zjarret si asnjëherë më parë, dogjën edhe më shumë se kaq. Zjarret dogjën teserat e partisë së krimit. Siç keni parë në video, nga vetë socialistët që dogjën kartat e tyre në Poliçan, në Divjakë, në Dimal, pa llogaritur edhe mijëra e mijëra të tjera që u dogjën përfundimisht në bulevardin e Tiranës. Kjo verë shkriu me nxehtësinë e saj propagandën e AKSHI-t.
Shkriu Diellën, Lindat e AKSHI-t. U kujtoj se Ermal Beqirin e AKSHI-t, pasi vodhi 200 milionë euro, një ditë u arrestua në Francë dhe pak javë më vonë këtij kështjellari, Edi Rama me ministrinë e Financave i dhanë edhe disa milionë euro të tjera për të ndarë së bashku me të. Miliona euro që shkojnë nga paratë e shqiptarëve në llogaritë e Beqirit, i cili gjendet në qelitë e Francës.”, shkruan Berisha.




