Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në Tiranë, ku një 74-vjeçar është plagosur rëndë me mjete prerëse pas një konflikti në një pallat në rrugën “Aleksandri i Madh”.
Policia njofton se i dëmtuari, shtetasi me inicialet F. G., 74 vjeç, administrator i pallatit, është sulmuar nga një 35-vjeçar, banor i të njëjtit objekt.
Sipas të dhënave paraprake të policisë, konflikti dyshohet se ka nisur për shkak të linjës së ujit të pijshëm në pallat. Gjatë përplasjes, 35-vjeçari dyshohet se ka përdorur një thikë dhe një motorsharrë, duke i shkaktuar plagë të rënda administratorit.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur menjëherë veprimet për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale, policia ka arrestuar K. L., 35 vjeç, banor i pallatit ku ndodhi ngjarja.
Gjatë ndërhyrjes, uniformat blu kanë sekuestruar edhe mjetet prerëse që dyshohet se janë përdorur në sulm, konkretisht një thikë dhe një motorsharrë.
74-vjeçari është transportuar në spital, ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësinë e autorit të dyshuar.




