Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të së mërkurës në Prizren, ku një 81-vjeçar dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij 80-vjeçare në banesën e tyre.
Policia ka bërë të ditur se pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes nga hetuesit, forenzika dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, janë krijuar dyshime për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Sipas autoriteteve, lëndimet e konstatuara në trupin e viktimës dyshohet se janë shkaktuar nga forca duarthatë, pa përdorimin e ndonjë arme apo mjeti tjetër.
Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminim mjekoligjor.
I dyshuari, i identifikuar me inicialet B.D., rreth 81 vjeç, është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë.
Policia ka bërë të ditur gjithashtu se çifti nuk kishte pasur më herët raste të raportuara të dhunës dhe se në momentin e incidentit ndodheshin vetëm në banesë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë nën drejtimin e Prokurorit të Shtetit.




