Vrau nënën dhe plagosi rëndë babanë me sqepar, policia kap 45-vjeçarin

LUSHNJË – Është kapur nga Policia Florion Dalladaku, 45 vjeç, i dyshuar për ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së hënës në fshatin Zhymë të Lushnjës.

Dalladaku ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se, brenda banesës së familjes, sulmoi me sqepar nënën e tij, Fanije Dalladaku, 80 vjeçe, e cila humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.

Gjatë ngjarjes mbeti i plagosur rëndë edhe babai i tij, Hasan Dalladaku, 77 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Pas krimit, 45-vjeçari ishte larguar me një automjet tip Ford, ndërsa Policia kishte ngritur postblloqe dhe kishte nisur kontrollet për lokalizimin e tij.

Sipas informacionit paraprak të Policisë, Dalladaku dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor. Tashmë, pas kapjes së tij, grupi hetimor dhe Prokuroria vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes.


Njoftimi i Policisë:

“Lushnjë/Informacion paraprak

Rreth orës 21:20, në fshatin Zhymë, Lushnjë, shtetasi F. D., 45 vjeç, dyshohet se, në banesë, për motive ende të paqarta, ka goditur me një send metalik prerës (sqepar) nënën e tij, shtetasen F. D., 80 vjeçe, e cila, si pasojë e plagëve të marra, ka humbur jetën, si dhe ka plagosur rëndë babain e tij, shtetasin H. D., 77 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Shtetasi F. D., i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, është larguar nga banesa pas ngjarjes. Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”