SHKODËR – Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur pasditen e sotme zonën e Dukagjinit, ku dy persona, babë e bir, janë vrarë me armë zjarri dhe një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:20 në fshatin Mgull, në Njësinë Administrative Pult. Viktimat janë identifikuar si Lekë Gjoni dhe Prel Gjoni, ndërsa Lazër Bashi ka mbetur i plagosur rëndë dhe ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore.
Sipas Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, drejt vendngjarjes janë nisur forca të shumta të Policisë Vendore dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.
Për shkak të terrenit të vështirë të zonës, mbërritja e forcave dhe shërbimeve të emergjencës në vendngjarje është shoqëruar me vështirësi.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes, përcaktimin e dinamikës dhe motivit të saj, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.
Hetimet vijojnë në terren, ndërsa gjendja e të plagosurit mbetet e rëndë.




