Zjarret në Shqipëri/ Raportohen 32 vatra, 6 mbeten aktive dhe 4 nën mbikëqyrje

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar bilancin e situatës së zjarreve në të gjithë vendin për 24 orët e fundit. Nga 32 vatra të raportuara në total, 6 prej tyre vijojnë të jenë aktive, ndërsa 4 të tjera janë vënë nën mbikëqyrje nga intitucionet përgjegjëse.

Në aksionin masiv të shuarjes së flakëve janë angazhuar 726 forca operacionale dhe 44 automjete zjarrfikëse. Mbështetja nga Forcat e Armatosura ka qenë e menjëhershme me 270 efektivë, 5 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë të specializuar “Air Tractor”.

Gjendja e vatrave kryesore në territor
Gojan–Gjegjan (Pukë): Vijon operacioni i përforcuar me 190 forca në terren, të mbështetura nga mjete të rënda dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura.

Tenë (Mirditë): Po punohet nga Forcat e Armatosura, shërbimi pyjor dhe strukturat vendore. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për banesat.

Shtuf (Mirditë): Vatra mbetet aktive, por ndërhyrja vështirësohet nga terreni i thepisur malor që pengon kalimin e mjeteve zjarrfikëse.

Dukat (Vlorë): Vatra vazhdon të jetë aktive me intensitet të ulët dhe pa rrezikuar zonat e banuara, ndërsa në terren po veprojnë 77 forca.

Mal i Dajtit (Tiranë): Një pjesë e vatrave është izoluar plotësisht. Ndërhyrja po vijon për izolimin e pjesëve të mbetura me 30 efektivë të FA-së.

Bërshi (Klos): Pasi u vu nën kontroll, era e fortë gjatë natës ka riaktivizuar disa vatra. Në vendngjarje po operojnë 85 forca.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek situatën në koordinim me prefekturat dhe bashkitë, me prioritet kryesor mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë së tyre.