Nuk u kthye pas lejes, shpallet në kërkim Petrit Ndoci
Petrit Ndoci, i dënuar për vjedhje me dhunë dhe armëmbajtje pa leje, është shpallur në kërkim pasi nuk është kthyer në burgun e Reçit pas përfundimit të lejes së dhënë nga autoritetet.
Sipas raportimeve mediatike, Ndoci duhej të paraqitej në institucionin e vuajtjes së dënimit këtë të premte, në orën 12:30, por nuk është kthyer brenda afatit të përcaktuar.
Në vijim të verifikimeve, familjarët kanë bërë të ditur se ai kishte lënë një letër për ta, ku shkruhej: “Po largohem, ju dua shumë.”
Pas mosparaqitjes në burg, autoritetet kanë nisur procedurat për shpalljen e tij në kërkim, ndërsa vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Ndoci po vuante dënimin për veprat penale të “vjedhjes me dhunë” dhe “armëmbajtjes pa leje”. Sipas të dhënave paraprake, atij i kishin mbetur rreth dy vite burgim për të përfunduar dënimin.




