Ksamil – Hetimet për vrasjen e 20-vjeçarit francez Miguel Mendes vijojnë, ndërsa autoritetet kanë shoqëruar 38 persona për t’i marrë në pyetje lidhur me ngjarjen.
Në kuadër të hetimeve, është ndaluar një oficer policie, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Ende nuk janë bërë të ditura zyrtarisht rrethanat dhe akuzat konkrete ndaj tyre.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit në Ksamil, ku Mendes u gjet pa shenja jete pranë ambienteve të “Principotes”. Për vrasjen është arrestuar Sokrat Vata, 29 vjeç, i cili dyshohet se e goditi të riun me thikë pas një konflikti.
Vata u kap rreth pesë orë pas ngjarjes në Levan të Fierit, pasi ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një shtetase turke. Në automjet ndodhej edhe një shtetas tjetër turk.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon marrjen në pyetje të personave të shoqëruar dhe verifikimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, përfshirë edhe veprimet e punonjësve të Policisë.




