Ksamil – Detaje të reja janë zbardhur lidhur me vrasjen e 20-vjeçarit francez Miguel Mendes, i cili u gjet pa shenja jete në orët e para të mëngjesit në një plazh në Ksamil.
I riu u gjet rreth orës 05:15, i shtrirë në shezlongët e një plazhi pranë një lokali. Sipas të dhënave të deritanishme të hetimit, Mendes dyshohet se është goditur disa herë me thikë në shpinë dhe në kraharor. Nga këqyrja e trupit në morgun e Sarandës, plagët dyshohet se kanë qenë të rënda dhe vdekja mund të ketë ardhur në mënyrë të menjëhershme.
Policia ka identifikuar si autor të dyshuar 29-vjeçarin Sokrat Vata, banues në Has. Ai dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë pas krimit dhe aktualisht vijon të jetë në kërkim.
Sipas burimeve, Vata ishte i punësuar si roje plazhi në hotelin “Pronciopotes”, ndërsa hetuesit po punojnë për të dokumentuar dinamikën e plotë të konfliktit që parapriu ngjarjen.
Miguel Mendes kishte mbërritur në Ksamil së bashku me një grup turistësh francezë për të kaluar pushimet në jug të Shqipërisë.
Nga të dhënat paraprake, konflikti dyshohet se ka nisur për motive të dobëta. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se në qendër të përplasjes mund të ketë qenë një vajzë, por ky motiv mbetet ende për t’u verifikuar dhe dokumentuar nga autoritetet.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes, mbledhjen e provave dhe lokalizimin e 29-vjeçarit Sokrat Vata.
Vata vijon të jetë në kërkim nga policia.




