Atentati i dështuar në Elbasan/ Zbardhet dëshmia e autorit: U hakmora për vëllanë

ELBASAN – Zbardhen detaje nga dëshmia e 52-vjeçarit Poli Boriçi, i arrestuar për atentatin e dështuar ndaj 50-vjeçarit Ermir Kërtezi në Elbasan.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, Boriçi ka deklaruar para hetuesve se sulmi ishte motivuar nga hakmarrja për vëllanë e tij. Ai pretendon se Kërtezi e kishte plagosur të vëllanë rreth 15 vite më parë, duke i shkaktuar pasoja të rënda shëndetësore, deri në paralizim.

Megjithatë, ky version kundërshtohet nga deklarimet e Kërtezit. Personi që ishte shënjestër e atentatit ka pohuar se marrëdhëniet mes dy familjeve ishin normalizuar prej vitesh dhe se ata kishin jetuar pranë njëri-tjetrit për rreth 15 vite pa pasur konflikte.

Për këtë arsye, grupi hetimor po verifikon edhe pista të tjera për motivin e atentatit, përfshirë mundësinë e një konflikti më të fundit mes Boriçit dhe Kërtezit.

Hetuesit po vijojnë mbledhjen e provave dhe marrjen në pyetje të personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të atentatit.