Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mëngjesin e kësaj të diele restorantin që është pjesë e resortit “Mesopotam Agroturizëm”, i cili ndodhet në rrugën nacionale Sarandë–Syri i Kaltër, duke e djegur atë plotësisht.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka rënë rreth orës 05:30 të mëngjesit. Flakët janë përhapur me shpejtësi të madhe në të gjitha mjediset e restorantit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe duke e shkumbuar tërësisht strukturën.
Në vendngjarje kanë shkuar me urgjencë shërbimet zjarrfikëse të Finiqit, të cilat ndërhynë me shpejtësi dhe bënë të mundur izolimin e flakëve, duke penguar përhapjen e zjarrit drejt kabinave prej druri që ndodheshin pranë e që janë pjesë e resortit.
Burime paraprake bëjnë me dije se dyshohet që zjarri të jetë shkaktuar nga një shkëndijë ose problem në rrjetin e energjisë elektrike. Megjithatë, ekspertët po vijojnë hetimet për të përcaktuar me saktësi se çfarë i ka shkaktuar flakët në strukturën e agroturizmit.




