“Më shumë shtysa të djegësh e shfrytëzosh territorin sesa ta mbrosh”/ Situata e zjarrit në Krujë, Koçeku: Zjarri në Shqipëri ka qenë politik

TIRANË- Deputetja e Pavarur Marjana Koçeku ka kritikuar qeverinë për mënyrën se si po menaxhohen zjarret në vend. Duke iu referuar situatës në Krujë, në një reagim në rrjetet sociale ajo tha se zona pas fabrikës së çimentos, ku ndodhen disa gurore, ka qenë një nga zonat e prekura nga zjarret dhe ngriti dyshime se flakët mund të lidhen me interesa për shfrytëzimin e territorit.

Koçeku tha se në Shqipëri, ka më shumë interesa për të përfituar nga territoret e djegura sesa për ti mbrojtur ato. Ajo kritikoi mënyrën se si administrohen tokat dhe pyjet, duke thënë se mungesa e përgjegjësisë së qartë mund të favorizojë abuzimet dhe përfitimet ekonomike.

REAGIMI

Mbas fabrikës së çimentos në Krujë ndodhen 4-5 gurore të mëdha. Këto ditë, ky vend ishte edhe ndër vatrat kryesore të zjarrit, ku 3 prej tyne vazhdojnë me qenë aktive. Jo rastësisht… Shpeshherë zjarri në Shqipëri ka qenë politik dhe mjet për me zaptu territore të reja. Zjarr për me incentivu “zhvillime” të mavonshme, lehtësime ligjore e depërtime që, në kushte normale, nuk do mundeshin me u realizu. Siç ndodhi në Pishë-Poro para dy vitesh, ku zjarri zgjati 10-ditë pa ndërhyrje dhe shkrumboi gjithçka.

Ka ma shumë shtysa me djeg e shfrytëzu territor sesa me e mbrojtë atë. Tu përqendru tanë energjitë te ndërtimi pa kriter dhe spekulativ, njerëzit shohin çdo lloj rruge për përfitim ekonomik. Jo rastësisht shumica e guroreve kontrollohen edhe nga grupe mafioze e kriminale. Nuk ka ende nji linjë të saktë sesi administrohet toka-pyll. Shpesh tu e lanë tokë të askujt, askushi s’e ndjen ma as përgjegjësinë e as përkatësinë, por vetëm dëshirën me zhvat e me përfitu.

Kjo pashmangshmërisht lidhet edhe me reformat territoriale që janë ba në kohë e që tash po synojnë me shkri disa bashki të vogla. Tu i heq kompetencat prej poshtë, po shkrihet lidhja e komunitetit me territorin, lidhja administrativo-institucionale me njerëzit e vendit. Kjo asht ma shkatërrimtarja. Tu heq përgjegjësinë e përkatësinë me vendin, marrëdhëniet e komunitetit me territorin kthehen veç në marrëdhanie burokratike në letër. Kthehen në marrëdhanie të thata e të shkretueme./