Zjarri në Krujë drejt shuarjes, dy helikopterë ndërhyjnë nga ajri! Flakët rrezikuan banesat e bizneset, u evakuuan banorët dhe pacientët e spitalit

KRUJË- Flakët hynë në oborret e shtëpive, iu afruan magazinave dhe një pike të shpërndarjes së gazit. Për disa orë, Kruja u rrethua nga zjarri, ndërsa qindra banorë lanë shtëpitë mes frikës se flakët mund t’u merrnin gjithçka.

Situata më e vështirë ishte në Barabit dhe Lluban. Zjarri, i favorizuar nga era, avancoi me shpejtësi drejt zonave të banuara. Qindra qytetarë u larguan nga Kruja, ndërsa pati edhe nga ata që refuzuan të braktisnin shtëpitë. Përballë rrezikut, autoritetet u detyruan t’i nxirrnin me forcë.

Në rrezik u vu edhe Spitali i Krujës. Flakët u afruan deri rreth 50 metra nga godina dhe pacientët u evakuuan gjatë natës, për t’u dërguar drejt Tiranës. Pavarësisht situatës së frikshme, nuk raportohet për persona të lënduar.

Beteja me zjarrin vijoi për orë të tëra. Terreni i vështirë dhe përhapja e shpejtë e flakëve e bënë ndërhyrjen edhe më të komplikuar. Në 5 lagje u ndërpre energjia elektrike, ndërsa strukturat vendore u angazhuan për strehimin e banorëve të evakuuar.

Me zbardhjen e ditës, Kruja mori frymë disi. Gjatë gjithë natës forcat zjarrfikëse dhe FA kanë punuar për shuarjen e zjarrit. Dy vatra mbeten ende aktive, ndërsa dy helikopterë kanë nisur operacionin nga ajri për të vënë plotësisht nën kontroll flakët.

Për zjarrin është arrestuar Qemal Berhami. Sipas policisë, ai kishte ndezur barishte pranë shtëpisë së tij, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën me shpejtësi, duke vënë në rrezik një pjesë të Krujës.