Aksident, 10-vjeçari përplaset nga një motor dhe më pas nga një automjet, arrestohet 27-vjeçari

TIRANË, 7 gusht 2026 – Një 10-vjeçar është plagosur në një aksident rrugor të ndodhur në rrugën “Llazi Miho” në Tiranë, pasi u përplas fillimisht nga një motomjet dhe më pas nga një automjet.

Sipas informacionit paraprak të Policisë, i mituri u godit fillimisht nga një motomjet që drejtohej nga një 27-vjeçar, i cili rezultoi se nuk ishte i pajisur me leje drejtimi. Pas përplasjes së parë, 10-vjeçari është goditur edhe nga një automjet që drejtohej nga një 47-vjeçar.

I mituri u transportua menjëherë në spital, ku po merr ndihmë mjekësore. Burime zyrtare bëjnë të ditur se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia arrestoi drejtuesin e motomjetit për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Ndërkohë, drejtuesi i automjetit ishte larguar nga vendi i aksidentit, por u identifikua më vonë nga shërbimet e policisë. Ai po procedohet penalisht në gjendje të lirë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.