TIRANË- Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ekstraduar në Shqipëri nga Kolumbia dhe Italia, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”. Bëhet me dije se nga Kolumbia është ekstraduar shtetasi kolumbian Samir Rosales Rodriguez 53 vjeç, i njohur si “kimisti” i kokainës në Frakull, i cili akuzohet për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal dhe trafikim të lëndëve narkotike.
53-vjeçari, ishte pjesë e një grupi kriminal dhe akuzohet se ka shoqëruar një kontejner me lëndë narkotike, nga porti Buenaventura, në Greqi dhe Mal të Zi, me destinacion Shqipërinë. Ndërkohë, nga Italia është ekstraduar Fadil Ternova 38 vjeç, lindur në Bulqizë. 38-vjeçari akuzohet për disa vepra penale, përfshirë tentativë vrasjeje me armë zjarri në aksin Bulqizë-Tiranë, si dhe vepra të tjera penale.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në vitin 2024 në aksin rrugor Bulqizë-Tiranë, ku pas një konflikti verbal për motive të dobëta, ai dyshohet se ka tentuar të qëllojë me armë zjarri një shtetas tjetër. Ternova rezulton gjithashtu i akuzuar për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe është dënuar më herët me 2 muaj burgim për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.
Njoftimi i Policisë:
Ekstradohet nga Italia, një shtetas i akuzuar/dënuar për 4 vepra penale, ndër to, për tentativë për vrasje me armë zjarri. Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve operacionale intensive të specialistëve të Interpol Tiranës me homologët e Interpol Bogotës, Kolumbi dhe të Interpol Romës, Itali, u finalizuan 2 faza të tjera të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”, gjatë të cilave u ekstraduan në Shqipëri:
•shtetasi kolumbian i arrestuar në Kolumbi, S. R. R., 53 vjeç, pasi GjKKO-ja, në vitin 2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në formë të veçantë, atë të bashkëpunimit në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Gjatë periudhës 7 korrik 2022–12 nëntor 2022, Policia e Shtetit dhe autoritetet në Mal të Zi kanë shkëmbyer informacione lidhur me një kontejner me ngarkesë të dyshimtë me pleh organik të transportuar me anije, në portin e Tivarit. Ngarkesa, nga të dhënat paraprake të administruara për interesa të procedimit, rezultonte se ishte nisur nga porti Buenaventura, Kolumbi, kishte kaluar nëpërmjet portit të Pireut, Greqi, kishte destinacion tranzit Malin e Zi dhe kishte marrës një shtetas shqiptar. Nga hetimet e mëtejshme të kryera për këtë rast rezultoi se shtetasi S. R. R. kishte shoqëruar ngarkesën me lëndë narkotike, përgjatë itinerarit Kolumbi-Greqi-Mal i Zi, deri në destinacionin final;
•shtetasi i arrestuar në Itali, F. T., 38 vjeç, lindur në Bulqizë, pasi Gjykata e Dibrës:
-në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Në vitin 2024, në aksin rrugor “Bulqizë-Tiranë”, shtetasi F. T. ka tentuar të vrasë me armë zjarri (automatik), shtetasin A. P., pas një konflikti verbal me të, për motive të dobëta;
-në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim; -në vitin 2018, e ka dënuar me 2 muaj burgim, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.




