TIRANË — Bashkitë Cërrik dhe Maliq kanë nisur zyrtarisht procesin e konsultimeve publike me qytetarët për projektligjin e reformës administrativo-territoriale, e cila parashikon reduktimin e numrit të bashkive në vend nga 61 në 46.
Procesi vjen pas shkresës së dërguar nga Kuvendi për periudhën 60-ditore të konsultimit publik. Bashkia e Cërrikut u ka bërë thirrje banorëve që të përfshihen në diskutime, duke theksuar se ndryshimet lidhen drejtpërdrejt me të ardhmen e komunitetit, cilësinë e shërbimeve, zhvillimin ekonomik dhe ndarjen e fondeve publike.
Nga ana e tij, Këshilli Bashkiak i Maliqit ka shpallur kalendarin e takimeve, ku sipas projekt-propozimit, kjo bashki parashikohet të bashkohet me atë të Korçës. Takimet konsultuese në Maliq do të zhvillohen nga 13 deri më 19 gusht në qytet dhe në njësitë administrative Libonik, Pojan, Pirg, Vreshtas, Gorë e Moglicë, me qëllim garantimin e një vendimmarrjeje sa më transparente dhe gjithëpërfshirëse për grupet e interesit dhe qytetarët.




