Partizani fiton 3-1 ndaj AF Elbasanit në “Elbasan Arena”

AF Elbasani është mposhtur me rezultatin 3-1 nga Partizani në ndeshjen miqësore të zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”, në një test me intensitet të lartë që shërbeu si një provë e rëndësishme për të dy skuadrat në prag të sezonit të ri futbollistik.

Pavarësisht humbjes, skuadra e drejtuar nga Ivan Gvozdenoviç zhvilloi një paraqitje pozitive në shumë momente të takimit, duke krijuar raste të shumta për shënim dhe duke treguar ritëm të mirë loje. Megjithatë, mungesa e saktësisë në finalizim dhe disa pasiguri në repartin defensiv u shfrytëzuan në maksimum nga Partizani, i cili u tregua më cinik dhe më efikas përpara portës.

Për skuadrën kryeqytetase realizuan Keko, Sidibe nga pika e bardhë e penalltisë dhe Doumbia, ndërsa goli i vetëm për AF Elbasanin u shënua nga Ardit Nikaj.

Minutat e para të sfidës u karakterizuan nga një lojë e kujdesshme nga të dy ekipet, të cilat u përpoqën të kontrollonin topin dhe të gjenin ritmin e duhur. Me kalimin e minutave, AF Elbasani mori më shumë iniciativën në ndërtimin e aksioneve, por ishte Partizani ai që goditi i pari.

Në minutën e 13-të, pas një kundërsulmi të shpejtë të ndërtuar nga e majta me Hjumën dhe të vazhduar nga Skuka, topi përfundoi te Keko, i cili nuk gaboi përballë portës, duke kaluar të kuqtë në avantazh 0-1.

Pas golit të pësuar, verdheblutë reaguan menjëherë. Tresa provoi me një goditje dënimi, ndërsa Nikaj dhe Diallo tentuan nga distanca, por pa sukses. Nga ana tjetër, Partizani vazhdoi të ishte i rrezikshëm në kundërsulm, me Skukën dhe Kekon që iu afruan golit të dytë, por portieri Aleksovski reagoi në momentin e duhur.

Në fundin e pjesës së parë, Elbasani ishte shumë pranë barazimit. Një goditje e fuqishme e Ardit Nikajt u devijua nga portieri Qirko dhe përfundoi në traversë, ndërsa pak çaste më vonë gardiani i Partizanit ndali edhe një tentativë të Lulajt me një pritje spektakolare.

45 minutat e para u mbyllën me rezultatin 0-1 në favor të Partizanit.

Pjesa e dytë nisi me ritëm edhe më të lartë. Vetëm gjashtë minuta pas rifillimit të lojës, arbitri akordoi penallti për Partizanin pas një ndërhyrjeje ndaj Skukës. Nga pika e bardhë, Sidibe u tregua i saktë dhe dyfishoi avantazhin e të kuqve në 0-2.

Megjithatë, reagimi i AF Elbasanit ishte i menjëhershëm. Vetëm dy minuta më vonë, Ardit Nikaj provoi me një goditje drejt portës dhe pas një devijimi topi përfundoi në rrjetë, duke ngushtuar shifrat në 1-2 dhe rikthyer shpresat për vendasit.

Verdheblutë shtuan presionin në kërkim të golit të barazimit, duke ushtruar kontroll mbi lojën për disa minuta.

Në momentin më të mirë të AF Elbasanit, Partizani goditi sërish. Në minutën e 62-të, Doumbia përfitoi nga një kthim i topit pas ndërhyrjes së Aleksovskit dhe me një goditje të saktë dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 1-3.

Në vazhdim, të dy trajnerët aktivizuan shumë lojtarë nga stoli, duke i dhënë mundësi gjithë grupit. Edhe pse Elbasani vazhdoi të sulmonte dhe krijoi disa raste të mira, finalizimi mbeti pika më e dobët. Hebaj pati mundësinë më të mirë me një goditje me kokë, por portieri Qirko u tregua edhe një herë vendimtar, duke ruajtur avantazhin e skuadrës së tij.

Deri në vërshëllimën përfundimtare rezultati nuk ndryshoi dhe Partizani u largua nga “Elbasan Arena” me një fitore 3-1.

Për AF Elbasanin, edhe pse rezultati nuk ishte ai i dëshiruar, kjo miqësore ofroi sinjale pozitive për ritmin e lojës dhe krijimin e rasteve, por njëkohësisht evidentoi nevojën për më shumë përqendrim në mbrojtje dhe efikasitet në finalizim, përpara nisjes së sezonit zyrtar.