Identifikohet viktima e aksidentit në Ksamil, humb jetën 20-vjeçari Antonio Mateli

Janë zbardhur detaje të reja nga aksidenti i rëndë i regjistruar mbrëmjen e kësaj të hëne në Ksamil, në zonën e njohur si “Pema e Thatë”.

Viktima është identifikuar si Antonio Mateli, 20 vjeç, banues në Ksamil, i cili po drejtonte një furgon në momentin e aksidentit.

Si pasojë e plagëve të rënda të marra nga përplasja, i riu ndërroi jetë gjatë transportimit me ambulancë drejt spitalit, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për t’i shpëtuar jetën.

Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërsa pritet një njoftim zyrtar me detaje të tjera mbi dinamikën e aksidentit.