Qytetarët ngrihen në protestë kundër Reformës Territoriale, i vënë flakën teserave të PS-së. Dorëhiqet edhe kreu i PS

POLIÇAN- Dhjetëra qytetarë janë ngritur në protestë këtë të enjte në qytetin e Poliçanit në Skrapar. Qytetarët kanë kundërshtuar planit për shkrirjen e bashkisë së tyre në kuadër të Reformës Administrativo-Territoriale 2.0. Pas ngritjes së qytetarëve në portestë, kryetari i PS të Poliçanit, Erion Zylyftari, ka dhënë publikisht dorëheqjen.

Zylyftari e ka dhënë dorëheqjen teksa po fliste në protestën ku ndodheshin dhjetëra qytetarë për të kundërshtuar planit për shkrirjen e bashkisë së tyre. Zylyftari u shpreh se vendimi për prekjen e Bashkisë së Poliçanit është një padrejtësi dhe një turp i madh ndaj qytetarëve të këtij qyteti.

Ndërsa, banorët në shenjë revolte kanë djegur në shesh teserat e Partisë Socialiste, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj politikave të ndjekura nga qeveria. Gjatë portestës, banorët u shpreh se Poliçani duhet të vijojë të jetë bashki më vete, duke theksuar se çdo ndryshim i statusit të saj do të ndikojë te e ardhmja e qytetit dhe e brezave të rinj.

Po ashtu banorët kanë firmosur një peticion për të kërkuar që Bashkia e Poliçanit të mos preket nga Reforma Territoriale. “Poliçani nuk preket”, “Mos na vrisni të ardhmen”, “Harram i paçi votat e Poliçanit”, “Deputetë dele, mos e votoni reformën”, ishin disa nga mesazhet e shkruara në pankartat e protestuesve. Me reformën e re territoriale Bashkia e Poliçanit shkrihet duke iu bashkuar Bashkisë së Beratit.