TIRANË- Deputetët e grupit parlamentar të PS, anëtarë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, kanë depozituar ditën e sotme në Kuvend propozimin për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0. Ky propozim u është përcjellë njëkohësisht edhe kryetarëve të bashkive dhe këshillave bashkiakë në të gjithë vendin.
Skema aktuale “Bashki – Njësi Administrative” zëvendësohet me skemën “Bashki – Qytet – Njësi Administrative”. Qyteti merr një rol më të qartë në planifikim, përfaqësim dhe organizimin e shërbimeve, me një nënkryetar përgjegjës për koordinimin administrativ.
Ky model synon të paraqesë bashkinë si të vetmen njësi të vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, një këshill bashkiak, një administratë dhe një buxhet të vetëm. Ajo parashikon konsolidimin e disa bashkive ekzistuese, konkretisht parashikon konsolidimin e 28 bashkive aktuale në 13 bashki. Në kuadër të punës së Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, ky propozim pritet të shqyrtohet në Kuvend përpara se të kalojë për miratim në seancë plenare.
Bashkitë që shkrihen dhe më kë bashkohen
1-Shkrihet bashkia Dimal dhe Poliçan, bashkohet me Beratin
2-Shkrihet bashkia Klos dhe i bashkohet Matit
3-Shkrihen bashkitë Cerrik dhe Belsh dhe i bashkohen Elbasanit
4-Shkrihet bashkia Prrenjas dhe i bashkohet Librazhdit
5-Shkrihet bashkia Patos dhe i bashkohet Fierit
6-Shkrihet bashkia Divjakë dhe i bashkohet Lushnjës
7-Shkrihet bashkia Libohovë dhe i bashkohet Gjirokastrës
8-Shkrihet bashkia Memaliaj dhe i bashkohet Tepelenës
9-Shkrihet bashkia Këlcyrë dhe i bashkohet Përmetit
10-Shkrihet bashkia Maliq dhe i bashkohet Korçës
11-Rinasi i bashkohet Tiranës, mbetet bashkia e Vorës
12-Shkrihet bashkia Selenicë dhe i bashkohet Vlorës
13-Shkrihet bashkia Fushë Arrëz dhe i bashkohet Pukës
Dokumenti i depozituar nga PS:




