Qëllohen me armë zjarri punonjësit e ujësjellësit gjatë inspektimit të lidhjeve ilegale

Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të mërkurë në Mitrovicë, ku punonjës të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” janë qëlluar me armë zjarri teksa po kryenin kontrolle për evidentimin e lidhjeve ilegale në rrjetin e ujësjellësit.

Sipas mediave në Kosovë, nga të shtënat nuk ka persona të lënduar, ndërsa autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes dhe mbetet në kërkim.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se i dyshuari po hetohet për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Mbajtje e paautorizuar e armës” dhe “Përdorim i armës”.

Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorit.