Shkeli perimetrin e sigurisë në plazh, gjobitet me 500 mijë lekë dhe i bllokohet mjeti lundrues

LEZHË – Policia Kufitare ka ndëshkuar me masë administrative prej 500 mijë lekësh të rinj drejtuesin e një mjeti lundrues, pasi u konstatua duke lundruar me shpejtësi brenda perimetrit të sigurisë të rezervuar për pushuesit, duke rrezikuar jetën e personave që ndodheshin në plazh.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, shkelja u evidentua nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare gjatë monitorimit të vijës bregdetare, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë. Rasti u bë publik edhe në rrjetet sociale përmes portalit JOQ.

Pas verifikimeve, drejtuesi i mjetit lundrues, shtetasi me inicialet D. M., u ndëshkua me gjobë prej 500 mijë lekësh të rinj, ndërsa autoritetet vendosën edhe bllokimin e mjetit lundrues.

Policia e Shtetit falënderoi qytetarët për bashkëpunimin dhe denoncimet, duke theksuar se informacionet e tyre ndihmojnë në evidentimin dhe ndëshkimin në kohë të shkeljeve që cenojnë sigurinë në zonat bregdetare.

Autoritetet garantuan se çdo denoncim trajtohet me seriozitet dhe verifikohet menjëherë nga strukturat policore, me synim mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së pushuesve.

Njëkohësisht, Policia u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që ushtrojnë aktivitet në det të respektojnë me përpikëri rregullat e lundrimit dhe perimetrat e sigurisë, duke paralajmëruar se ndaj çdo shkeljeje do të ndërhyhet menjëherë me masat e parashikuara nga ligji.