Mercedesi i goditi nga pas dhe “Smart”-i përfundoi në arë
Ky është mësuesi që humbi jetën në Cërrik; vdiq edhe pasagjeri 22-vjeçar
Qemal Çala është 63-vjeçari që humbi jetën pasditen e djeshme në aksin Cërrik–Mollas. Ai drejtonte një automjet tip “Smart” dhe si pasagjer kishte 22-vjeçarin Drilon Tabaku, i cili gjithashtu ndërroi jetë në vendngjarje.
Mjeti i tyre është goditur nga pas nga një automjet tip “Mercedes-Benz” dhe, nga përplasja e fortë, përveçse është shtypur plotësisht në pjesën e pasme, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në arën përkrah saj.
Mësuesi Qemal Çala dyshohet se ka frenuar për të shmangur shtypjen e një qeni që i kishte prerë rrugën dhe, pak çaste më pas, nga pas ka ardhur me shpejtësi të madhe automjeti tip “Mercedes-Benz”. Nga përplasja, edhe drejtuesi i mjetit tjetër, Sajmir Muça, 38 vjeç, ka mbetur i plagosur.
Ikja e parakohshme nga jeta e Qemal Çalës dhe të riut Drilon Tabaku ka tronditur familjet e tyre, ndërsa shkolla në Mollas, ku 63-vjeçari jepte mësim, ka ndarë një mesazh ngushëllimi.
Familja ka hapur dyert e mortit dhe ka njoftuar të gjithë miqtë, kolegët dhe të njohurit e tjerë për ikjen e tij të parakohshme, ndërsa të shumta kanë qenë edhe mesazhet e nxënësve dhe të prindërve të tyre për ndarjen nga jeta të mësuesit të dashur.




