E trishtë/ Ndahet nga jeta talenti 16-vjeçar i atletikës, gazetari: Dyshohet se pësoi hemorragji cerebrale

Shkodra u trondit dje nga lajmi i trishtë i ndarjes së parakohshme nga jeta të Dardan Barakut, atletit të ri kampion të Shqipërisë për garën e 100-metrave, që ndërroi jetë në moshën 16-vjeçare.

Gazetari Senad Nikshiqi duke folur në një lidhje për emisionin “Dita Jonë” në A2CNN tha se lajmi ka shokuar dhe ka lënë një dhimbje të madhe te familja dhe komuniteti shkodran.

Gazetari bën me dije se deri më tani dyshohet për hemorragji cerebrale. Po ashtu ai zbulon se 16-vjeçari i ndjerë ishte fëmijë i vetëm në familje.

“Nga burimet e deritanishme bëhet fjalë për hemorragji cerebrale që ka pësuar 16-vjeçari Dardan Baraku, është ndarë nga jeta duke mos arritur të shpëtojë. Nga ana mjekësore është bërë maksimumi duhet thënë. Është futur në operacion në një prej operacioneve private në Tiranë, por ka qenë e pamundur të mbijetojë, pavarësisht gjithë kujdesit të familjes, miqve dhe personave që i janë gjendur pranë. Ka qëndruar rreth një javë, apo disa ditë në koma, por s’ka arritur t’i bëjë ballë goditjes, duke lënë një dhimbje të madhe në komunitetin shkodran, por edhe më gjerë. Ai ishte djalë i vetëm dhe kjo shton edhe më shumë dhimbjen e madhe të familjarëve, të afërmve. Ishte një ngjarje dhe një moment tejet i papritur, që ka shokuar, për shkak të moshës së re dhe aftësive të jashtëzakonshme të 16-vjeçarit”.