Familja denoncon klinikën/ Prokuroria italiane hap hetim për vdekjen e aktorit Gjergji Lala në Romë

Vdekja e aktorit shqiptar Gjergji Lala në Poliklinikën “Umberto I” në Romë ka çuar në hapjen e një hetimi nga Prokuroria italiane, pas një kallëzimi të bërë nga familjarët e tij ndaj spitalit ku ai po trajtohej.

Sipas familjarëve të 78-vjeçarit, aktori nuk ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore gjatë qëndrimit në spital, çka ka sjellë regjistrimin e procedimit për veprën penale të “vrasjes nga pakujdesia”.

Në kallëzim, familja pretendon se ai ka ndërruar jetë pa ndërhyrjen e duhur mjekësore, ndërsa autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Për momentin nuk ka persona të marrë nën hetim. Prokuroria e Romës pritet të analizojë rezultatet e autopsisë dhe ekspertizave mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes dhe nëse ka pasur apo jo neglizhencë nga personeli mjekësor.

Sipas raportimeve, aktori kishte qenë i shtruar në gjendje të rënduar shëndetësore, pas komplikacioneve të mëparshme, përfshirë probleme me veshkat, një ndërhyrje kirurgjikale për tumor në fshikëzën urinare, si dhe infeksione të rënda bakteriale gjatë qëndrimit në spital.

Gjergji Lala, i lindur në Lushnje në vitin 1947, ishte një aktor dhe regjisor i njohur shqiptar, me një karrierë të gjatë në teatër dhe film, përfshirë role në prodhime ndërkombëtare si “Don Matteo”, “House of Gucci” dhe “Gangs of New York”.

Hetimet pritet të vijojnë në bazë të ekspertizave mjeko-ligjore që do të përcaktojnë nëse vdekja ka ardhur nga shkaqe natyrale apo si pasojë e ndonjë përgjegjësie mjekësore.