Rrebeshe të forta shiu kanë përfshirë pasditen e së mërkurës qytetin e Elbasanit dhe zonat përreth, duke sjellë vështirësi të përkohshme në qarkullimin rrugor.
Reshjet, të shoqëruara me aktivitet elektrik dhe shkarkesa të shumta rrufesh, kanë qenë intensive për disa minuta, duke ulur ndjeshëm shikueshmërinë në akset kryesore. Probleme në lëvizjen e mjeteve janë raportuar veçanërisht në aksin Elbasan–Peqin, ku drejtuesit e automjeteve janë përballur me kushte të vështira qarkullimi.
Policia u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë distancën e sigurisë dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike.
Prej tre ditësh, qarku i Elbasanit po përballet me mot të paqëndrueshëm, ku pasditeve regjistrohen rrebeshe shiu dhe stuhi lokale, pas temperaturave të larta që mbizotërojnë gjatë orëve të paradites.




