Tirana pritet të shndërrohet sot në qendrën e një proteste të madhe mbarëkombëtare. Kjo do të jetë dita e 21-të e mobilizimit qytetar kundër qeverisë.
Sipas organizatorëve, në tubimin e sotëm pritet një pjesëmarrje e gjerë nga e gjithë Shqipëria, si dhe nga shqiptarët e diasporës, të cilët kanë udhëtuar drejt vendit për t’iu bashkuar protestës.
Pamje të siguruara nga “Ora news”, tregojnë se diaspora ka mbërritur në kufi.
Sipas raportimeve, grupe emigrantësh janë nisur prej ditësh nga Mbretëria e Bashkuar me automjete private. Gjatë rrugës atyre u janë bashkuar edhe bashkatdhetarë nga Franca, Gjermania, Austria dhe vende të tjera europiane.
Kolona e automjeteve, e shoqëruar me flamuj kuqezi i është drejtuar drejt Tiranës për pjesëmarrjen në protestë. Tubimi, si në ditët e mëparshme, pritet të nisë në qendër të kryeqytetit dhe më pas të zhvendoset drejt godinës së Kryeministrisë, ku protestuesit kanë paralajmëruar mbajtjen e fjalimeve.




