Arrestohet në Belgjikë “Gert Gjenerali”, i dënuari me burgim të përjetshëm për vrasjen e Naim Zyberit

Gerd Gjinarari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit anuloi vendimin e diskutueshëm të lirimit me kusht nga burgu i Korçës në vitin 2019.

Autoritetet policore në Belgjikë kanë vënë në pranga Gerd Gjinararin, i njohur gjerësisht në botën e krimit me pseudonimin “Gert Gjenerali”. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare, pasi ndaj tij rëndon vendimi me burgim të përjetshëm për një nga vrasjet më të bujshme të fundviteve ’90.

Gjinarari është dënuar si bashkautor në ekzekutimin e Naim Zyberit, i konsideruar si një nga personazhet më të rrezikshëm dhe të “fortët” e Tiranës në vitet 1990. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në vitin 1997 brenda ambienteve të një spitali në Milano të Italisë, ku Zyberi po kurohej pas një atentati të mëparshëm. Sipas dosjes hetimore të kohës, Gerd Gjinarari dhe Arben Grori arritën të futeshin në dhomën e spitalit të maskuar si familjarë të pacientit, duke fshehur armën e zjarrit brenda një buqete me lule, me të cilën kryen edhe ekzekutimin.

Për këtë krim, Gjinarari u dënua me burgim të përjetshëm nga drejtësia italiane. Në vitin 2014, ai u ekstradua drejt Shqipërisë për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit në burgjet vendase.

Mirëpo, në Shën Valentin të vitit 2019, Gjykata e rrethit gjyqësor Korçë mori një vendim tronditës për opinionin publik, duke pranuar kërkesën e tij për lirim me kusht me argumentin e sjelljes së mirë dhe rehabilitimit. Ky vendim shkaktoi debate të forta politike dhe institucionale, çka bëri që Prokuroria ta apelonte menjëherë. Pak muaj më vonë, Gjykata e Apelit e rrëzoi vendimin e shkallës së parë dhe urdhëroi rikthimin e menjëhershëm të Gjinararit në qeli.

Në momentin e marrjes së këtij vendimi, “Gert Gjenerali” kishte arritur të largohej nga territori shqiptar, duke bërë që ndaj tij të lëshohej një urdhër-arresti ndërkombëtar. Pas lokalizimit dhe prangosjes së tij në Belgjikë, pritet që Ministria e Drejtësisë të nisë menjëherë procedurat zyrtare për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku do të vuajë dënimin maksimal.