TIRANË- Pas më shumë se 5 vjetësh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur t’i heqin non gratën kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
I pyetur sot nga gazetarët në hyrje të Kuvendit nëse informacioni është i vërtetë, Berisha zgjodhi të mos japë asnjë koment. Ai i përshëndeti gazetarët me buzëqeshje dhe hyri në sallën e Kuvendit pa iu përgjigjur pyetjes.
“Unë erdha, u krye”, tha Berisha nga foltorja.
Sali Berisha u shpall “non grata” nga SHBA më 19 maj 2021. Vendimi u njoftua nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, i cili deklaroi se Berisha ishte përfshirë në “korrupsion të rëndësishëm” gjatë ushtrimit të detyrave publike. Si pasojë, atij dhe anëtarëve të ngushtë të familjes iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara. Sipas deklaratës zyrtare amerikane, akuzat lidhen me shpërdorim fondesh publike, ndërhyrje në procese publike dhe përdorim të pushtetit për përfitime personale dhe për aleatët e tij politikë. Berisha i ka mohuar vazhdimisht këto akuza dhe e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe politikisht të motivuar.




