Inspektorati Shtetëror ka ndalur gishtin mbi dy problematika madhore që po cenojnë rëndë qarkun e Elbasanit: ndotjen mjedisore nga operatorët abuzivë dhe masakrën disavjeçare mbi lumenjtë Shkumbin e Devoll. Gjatë analizës së situatës, Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, ka bërë të qartë se nuk do të ketë më asnjë tolerancë ndaj subjekteve që shkelin ligjin në dëm të shëndetit të qytetarëve, duke paralajmëruar deri në bllokim të aktivitetit.
“Jemi dëshmitarë se mjaft operatorë abuzojnë në këtë drejtim duke shkelur ligjin… jeta e qytetarit është e para, deklaroi Sula.”
Një tjetër vatër e nxehtë mbetet shfrytëzimi pa kriter i shtretërve të lumenjve nga kompani të papërgjegjshme, çka po ndikon direkt edhe në qëndrueshmërinë e veprave publike. Kryeinspektori Sula vuri në dukje se këto abuzime lidhen direkt edhe me problematikat e fundit të shembjeve të rrugëve përgjatë gjurmës ku po ndërtohet Korridori i Tetë, duke u bërë thirrje të gjitha institucioneve të reagojnë me urgjencë.
“Janë masakruar dy lumenjtë Shkumbin dhe Devoll për vite me radhë… institucionet përgjegjëse duhet të bëjnë detyrën e tyre për marrjen e masave, u shpreh ai.”
Duke u ndalur te siguria e jetës, kreu i inspektoratit ka sjellë në vëmendje edhe ngjarjen tragjike të humbjes së jetës së 15-vjeçarit në pishinën e Gjirokastrës. Me nisjen zyrtare të sezonit veror, Sula deklaroi se ka nisur një aksion i gjerë dhe i rreptë kontrolli për çdo subjekt që menaxhon pika ujore dhe komplekse argëtimi, për të garantuar kushtet teknike dhe praninë e rojeve të plazhit.
Në lidhje me kontrollet e rrepta dhe penalitetet për pishinat dhe subjektet që nuk operojnë në bazë të ligjit gjatë sezonit të verës
Paralelisht me kontrollet në terren, rregullat e reja do të prekin edhe vetë trupën e inspektorëve. Për të shmangur korrupsionin dhe rritur efikasitetin, strukturat do t’i nënshtrohen një reforme tërësore. Ndërkohë, si një mjet kyç për të goditur paligjshmërinë, nga dita e sotme është vënë në funksionim portali “sigurt.gov.al”, ku çdo qytetar mund të denoncojë abuzimet e bizneseve ose të vetë zyrtarëve duke ruajtur anonimatin e plotë.
“Do të ndërmerret një reformë tërësore në funksionimin e inspektorateve… nga sot do të jetë funksional portali sigurt.gov.al për të denoncuar çdo shkelje, perfundoi ai.”




