Nga Kristaq Kume te Edlira Çepani, kush janë firmëtarët e nismës për ndryshime në Kodin Zgjedhor

Një grup aktivistësh të shoqërisë civile kanë dorëzuar këtë të martë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një kërkesë për t’u pajisur me formularin zyrtar që mundëson mbledhjen e firmave në mbështetje të një nisme për ndryshime në Kodin Zgjedhor.

Dokumenti, i datës së sotme dhe i vulosur me logon “Veprimi qytetar për demokraci funksionale”, mban firmat e 10 përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Mes nënshkruesve të kërkesës është edhe ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume, aktivistët Andi Tepelena, Edlira Çepani, Rezarta Caushaj, Edmond Çata, Etleva Merko, Gerta Meta, Ilir Aliaj, Rigels Xhemollari dhe Silvana Bello.

Në kërkesën drejtuar KQZ-së, iniciatorët bëjnë të ditur se procesi i mbledhjes së firmave do të zgjasë tre muaj nga momenti i miratimit të formularit tip.

“Periudha për mbledhjen e firmave të zgjedhësve, mbështetës të kësaj nisme ligjvënëse, do të jetë 3 muaj, nga data e vendimit tuaj për të na pajisur me fletën tip”, thuhet në dokument.

Nisma synon të sigurojë mbështetjen e nevojshme qytetare për paraqitjen e propozimeve për ndryshime në Kodin Zgjedhor, sipas procedurave të parashikuara në legjislacionin shqiptar.