Policia Elbasan për rastin e turistëve gjermanë: Humbën orientimin në mal. Nuk kishin sinjal telefonik

Polis, Librazhd

Humbën kontaktin gjatë eksplorimit të zonës malore të Polisit 🏞️, shërbimet e Policisë u erdhën në ndihmë 2 turistëve nga Gjermania.

Pas njoftimit të marrë për humbjen e kontaktit GPS me 2 turistë gjermanë gjatë eksplorimit të zonës malore të Polisit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd organizuan menjëherë një operacion kërkim-shpëtimi për lokalizimin e tyre.

Në operacion u angazhuan shërbimet e Policisë, duke përdorur edhe një dron, si dhe punonjësit e shërbimit pyjor dhe strukturat vendore, të cilët vijuan kërkimet intensive në terren.

Pas 15 orësh kërkime, 2 turistët u lokalizuan në fshatin Gaferr, Njësia Administrative Stravaj, Bashkia Prrenjas, në gjendje të mirë shëndetësore.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se turistët kishin humbur orientimin gjatë lëvizjes në zonën malore dhe nuk kishin mundur të komunikonin për shkak të mungesës së mbulimit me sinjal telefonik.

Turistët falënderuan punonjësit e Policisë dhe të gjitha strukturat e angazhuara për gatishmërinë, profesionalizmin dhe ndihmën e dhënë.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan mbetet e angazhuar maksimalisht për të garantuar sigurinë e turistëve dhe vizitorëve që zgjedhin të eksplorojnë zonat turistike dhe malore të qarkut 🏔️.