Matura Shtetërore, provimet në 144 qendra të përcaktuara sipas rregullores

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro informoi sot se provimet e Maturës Shtetërore zhvillohen në 144 qendrat e përcaktuara sipas Rregullores së Maturës Shtetërore.

Kumbaro tha se “tërheqja dhe shpërndarja e testeve realizohet sipas grafikut të hartuar nga QSHA dhe të miratuar nga Komiteti i Maturës Shtetërore, duke garantuar sigurinë dhe integritetin e procesit në çdo hallkë”.

Sipas Kumbaros, për mbarëvajtjen e Maturës 2026 janë angazhuar: 2087 mësues administratorë; 170 monitorues nga Ministria e Arsimit dhe 650 vlerësues të testeve.

“Ky është një proces kombëtar që mbështetet në profesionalizëm, korrektësi dhe respektim të rregullave, me qëllim garantimin e një procesi të drejtë dhe të barabartë për çdo maturant. Respektoni rregullat, besoni te përgatitja juaj dhe jepni më të mirën në provim”, tha Kumbaro.

Mbi 26.600 maturantë në të gjithë vendin kanë nisur provimet e Maturës Shtetërore 2026, me testin e parë, atë të gjuhës së huaj. Procesi do të vijojë më 9 qershor me provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, më 16 qershor me Matematikën dhe do të përmbyllet më 23 qershor me provimin me zgjedhje.