ELBASAN, 6 qershor 2026 – Mjaft qytetarë janë mbledhur këtë të shtunë në Elbasan në një protestë që nisi fillimisht kundër ndërtimit në zonën e Zvërnecit, por që më pas u zgjerua duke përfshirë edhe problematika të tjera që, sipas pjesëmarrësve, prekin qytetin dhe komunitetin lokal.
Gjatë tubimit, qytetarë të ndryshëm morën fjalën dhe ngritën shqetësime për menaxhimin e landfillit, ndotjen e ajrit, si dhe për probleme që lidhen me shëndetësinë publike. Po ashtu, ata denoncuan mungesën e investimeve të qëndrueshme dhe rritjen e betonimeve në zonat urbane, të cilat sipas tyre po ndikojnë në cilësinë e jetesës.
Protestuesit u shprehën se kërkojnë më shumë vëmendje ndaj nevojave të komunitetit dhe ndërhyrje konkrete për zgjidhjen e problematikave që ata i konsiderojnë të vazhdueshme.
Dita e sotme shënon rritje të pjesëmarrjes krahasuar me një ditë më parë, kur në Elbasan u zhvillua protesta e parë me një numër më të ulët qytetarësh. Sot, në tubim janë parë të përfshirë qytetarë të moshave të ndryshme, përfshirë të rinj, të moshuar dhe familjarë.





