Policia ka arrestuar dy rojet private të sigurisë që në bashkëpunim me Gerald Bibën, tërhoqën zvarrë protestuesin në Zvërnec.
35-vjeçari dhe 41-vjeçari, tashmë të arrestuar, rezulton se nuk janë të licencuar nga asnjë subjekt për shërbimin privat të sigurisë fizike.
Zhvatën 200 mijë euro të klientëve, arrestohet drejtori dhe zëvendësi i tij në degën e UBA Bank! (Skema si i merrnin paratë)
Biba, bashkë me ta, e tërhoqën zvarrë protestuesin pasi e kishin goditur me grushte, dhe e mbajtën me forcë brenda kabinës së rojës.
Protestuesi ndenji aty deri në momentin e ndërhyrjes së policisë.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë hetimet intensive në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë autorët e veprimeve ose mosveprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të zhvilluar më datë 30.05.2026, në Portonovë, Zvërnec.
Ndalohen dhe vihen në pranga 2 shtetasit që tërhoqën me forcë, pjesëmarrësin në tubim.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, për zbardhjen dhe dokumentimin e të gjitha rrethanave dhe të gjitha përgjegjësive për këtë ngjarje, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kapën dhe ndaluan shtetasit A. G., 35 vjeç dhe G. V., 41 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Vlorës iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Të dy akuzohen se në bashkëpunim me shtetasin G. B. (të arrestuar), kanë tërhequr me forcë, drejt vendit të rezervuar për rojet, pjesëmarrësin në tubim, shtetasin E. S., të cilit i kanë shkaktuar dëmtime trupore.
Më tej, nga verifikimet rezultoi se shtetasit e ndaluar, A. G. dhe G. V., nuk figurojnë të regjistruar apo të licencuar nga asnjë subjekt për shërbim privat të sigurisë fizike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme




