‘Po e ktheni një incident të izoluar në çështje politike’! Rama mesazh Tsipras për Zvërnecin

Kryeministri, Edi Rama, i është përgjigjur me një letër publike në rrjetin X ish-kryeministrit grek Alexis Tsipras, duke e akuzuar atë dhe partinë e tij të re se po e shndërrojnë incidentin e ndodhur në Zvërnec në një çështje me peshë politike, duke anashkaluar faktet dhe duke nxitur narrativa të mbështetura, sipas tij, në gjysmë të vërteta.

Rama shprehet se ngjarja e Zvërnecit nuk ndodhi gjatë një proteste të zakonshme për të drejtat e pronësisë, por në një klimë tensionesh të ushqyera nga dezinformimi dhe përpjekjet për të penguar aktivitetin e investitorëve privatë ndërkombëtarë, të cilët, sipas tij, po operojnë në toka private të blera në mënyrë të ligjshme dhe në përputhje me legjislacionin shqiptar.

Kreu i qeverisë thekson se çdo dëmtim i një personi, pavarësisht kombësisë së tij, është i papranueshëm dhe i dënueshëm, por nënvizon se autoritetet shqiptare reaguan menjëherë pas incidentit. Ai kujton se personat e përfshirë nga kompania private e sigurisë u arrestuan, licenca e kompanisë u revokua dhe drejtori i Policisë së Vlorës u shkarkua nga detyra.

“Çfarë më shumë do të prisnit, Alexis, dhe çfarë masash shtesë do të kishit marrë ju si kryeministër në këto rrethana?”, shkruan Rama, duke shtuar se nuk është e drejtë që një incident i izoluar të paraqitet si provë e shkeljes së të drejtave të minoritetit grek, të drejtave të pronës apo të shtetit ligjor në Shqipëri.

Në reagimin e tij, Rama thekson se respektimi i shtetit të së drejtës, mbrojtja e pronës dhe garantimi i të drejtave të pakicave kombëtare janë detyrime kushtetuese dhe angazhime europiane të Shqipërisë. Ai nënvizon se faktet duhet të përcaktohen nga institucionet dhe gjykatat kompetente, jo nga deklarata politike të bëra nga jashtë vendit.

Kryeministri e cilëson minoritetin kombëtar grek në Shqipëri si një “pasuri” të çmuar, duke theksuar se ai gëzon të njëjtat të drejta dhe mbrojtje si çdo qytetar shqiptar. Rama shprehet se marrëdhëniet e mira fqinjësore ndërtohen mbi fakte, respekt ndaj institucioneve dhe jo mbi spekulime politike.

Në fund të mesazhit, ai i uron sukses Tsiprasit në zgjedhjet e ardhshme, duke shprehur shpresën që forca e tij e re politike të shmangë, sipas tij, tundimin për të fituar mbështetje përmes retorikës nacionaliste dhe konkluzioneve të nxituara ndaj vendeve fqinje.