Një konflikt mes dy personave ka degjeneruar në dhunë fizike dhe përdorimin e armëve të ftohta në qytetin e Korçës. Sipas informacioneve paraprake, mësohet se një i ri ka mbetur i plagosur pasi është qëlluar me thikë dhe është goditur me grushte nga një person tjetër.
I riu ka marrë një plagë të lehtë në pjesën e barkut si dhe lëndime të tjera në trup si pasojë e goditjeve me grushte. Ai është transportuar me urgjencë drejt spitalit rajonal, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se shkak i këtij konflikti të rëndë dyshohet të jetë bërë një borxh prej 100 mijë lekësh të vjetra, çka ka sjellë edhe degradimin e situatës deri në përdorimin e thikës.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë, të cilat kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar. Grupi hetimor po merr në pyetje të riun e plagosur për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa efektivët janë vënë në ndjekje dhe po punojnë për kapjen e autorit.




