Në Maqedoninë e Veriut është konfirmuar rasti i parë i etheve të Nilit Perëndimor për këtë vit.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, bëhet fjalë për një 55-vjeçar nga Velesi, i cili fillimisht ka shfaqur temperaturë të lartë, lodhje të madhe, skuqje në lëkurë dhe çrregullime të vetëdijes. Për shkak të përkeqësimit të gjendjes, ai është shtruar në Klinikën për Sëmundje Infektive, ku analizat laboratorike kanë konfirmuar praninë e virusit “West Nile”.
Autoritetet shëndetësore bëjnë të ditur se pacienti është në gjendje më të mirë dhe po mbahet nën kujdes mjekësor.
Sipas të dhënave epidemiologjike, i infektuari nuk ka udhëtuar jashtë vendit dhe nuk ka pasur kontakt me persona të tjerë me simptoma të ngjashme, çka sugjeron se infektimi mund të ketë ndodhur në vend.
Ethet e Nilit Perëndimor transmetohen përmes pickimit të mushkonjave të infektuara, kryesisht të llojeve Culex dhe Aedes. Virusi qarkullon mes mushkonjave dhe shpendëve, ndërsa njerëzit nuk e përhapin më tej sëmundjen.
Instituti i Shëndetit Publik sqaron se shumica e të infektuarve nuk shfaqin simptoma, por në disa raste mund të paraqiten temperaturë, dhimbje koke, lodhje, dhimbje muskujsh dhe skuqje në lëkurë.
Në raste më të rralla, sëmundja mund të sjellë komplikime serioze si inflamacion të trurit ose të cipave të trurit dhe çrregullime neurologjike.
Autoritetet theksojnë se nuk ka vaksinë apo trajtim specifik për këtë virus, ndaj parandalimi mbetet masa kryesore.
Rreziku aktual vlerësohet mesatar, por mund të rritet nëse shtohet aktiviteti i mushkonjave gjatë periudhës së verës.
Qytetarëve u rekomandohet përdorimi i mjeteve mbrojtëse kundër mushkonjave, veshje që mbulojnë trupin, vendosja e rrjetave në dritare dhe shmangia e qëndrimit jashtë në orët e mbrëmjes dhe të agimit.
Apel i veçantë u bëhet edhe familjeve që të largojnë ujin e ndenjur nga oborret dhe ambientet përreth banesave, pasi ato krijojnë kushte për shumimin e mushkonjave.
Në rast shfaqjeje të simptomave pas pickimit nga mushkonjat, qytetarët këshillohen të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.













