PS dhe PD arrijnë dakordësi për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, seancat mbyllen në orën 22:00

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë arritur dakordësi për draftin e përbashkët të ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit, duke finalizuar negociatat mes palëve për disa nga çështjet më të debatueshme parlamentare.

Burime nga Kuvendi bëjnë me dije për gazetarin Osman Stafa se drafti final pritet të miratohet nesër në orën 09:00 gjatë mbledhjes së Këshillit për Rregulloren.

Një nga pikat kryesore të dakordësuara është pranimi i propozimit të Partisë Demokratike që, me kërkesë të një kryetari grupi parlamentar, seanca plenare të ndërpritet në orën 22:00 dhe të vijojë ditën pasardhëse.

Ndërkohë, Partia Socialiste është tërhequr nga disa propozime të saj, mes të cilave edhe shqyrtimi me procedurë të përshpejtuar brenda një jave i projektligjeve të kërkuara nga Bashkimi Europian, si dhe përgjysmimi i kohës së diskutimeve në seancat plenare.

Po ashtu, mazhoranca ka pranuar që institucionet kushtetuese të vijojnë raportimin në seancë plenare dhe jo vetëm në komisione, siç ishte propozuar fillimisht.

Nga ana tjetër, opozita ka arritur të kalojë disa propozime që forcojnë kontrollin parlamentar. Mes tyre është detyrimi i Kryetarit të Kuvendit për të ndërhyrë në rastet kur institucionet nuk u përgjigjen deputetëve brenda afateve ligjore, si dhe detyrimi për zhvillimin e mbledhjeve apo seancave dëgjimore në komisione brenda dy ditësh, kur kjo kërkohet nga pakica parlamentare.

Ndryshimet e reja parashikojnë gjithashtu që masat disiplinore ndaj deputetëve të pezullohen automatikisht në rast ankimi në Byronë e Kuvendit, ndërsa llogaritja e tyre do të bëhet me ditë kalendarike dhe jo më me ditë pune.